e-ankime

Si të ankohemi për zbatimin e kushteve kontraktore për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike?

Faza e parë – ankesa/sqarime tek ofruesi i shërbimit në telefon/pikat e shitjes.

në kushtet kontratës së pajtimit përcaktohen mënyra dhe procedura për ankesat, ku jepen numrat e telefonit, adresat dhe kontaktet për kujdesin me klientët.

Ju keni të drejtë të ankoheni apo të kërkoni sqarime tek ofrouesi i shërbimit. Në rast se nuk jeni të kënaqur me sqarimet e dhëna nga operatori me anë të telefonit apo mjeteve të tjera elektronike, ju mund të ankoheni me shkrim tek ofruesi i shërbimit.

Faza e dytë – ankesa me shkrim

Ju duhet t’i drejtoni një ankesë me shkrim ofruesit të shërbimit të Internetit brenda 15 ditëve nga:

marrja e faturës për shërbimin e ofruar, nëse ankesa i referohet shumës së faturuar për shërbimin e ofruar; ose

nga ofrimi i shërbimit, nëse ankesa i referohet cilësisë së shërbimit të ofruar.

Me marrjen e ankesës, ofruesi i shërbimit të Internetit, duhet të verifikojë shumën e faturuar dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara, dhe pas verifikimit, t’ju konfirmojë ose t’i korrigjojë ato.

Ofruesi i shërbimit duhet t’ju dorëzojë përgjigjen me shkrim, jo më vonë se 15 ditë nga marrja e ankesës.

Nëse nuk jeni dakord me përgjigjen me shkrim të ofruesit të shërbimit, ju mund të filloni një procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, ose mund ta paraqisni rastin para gjykatës.

Faza e tretë – zgjidhja e mosmarrëveshjes në AKEP

Pas marrjes së përgjigjes nga ofruesi i shërbimit lidhur me ankesën, nëse nuk jeni dakort, mund të kërkoni zgjidhjen e mosmarrëveshjes në AKEP, brenda 15 ditëve nga marrja e përgjigjes me shkrim.

Kërkesa paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë fakte dhe prova, në të cilat është bazuar.

Forma e paraqitjes së kërkesës me shkrim, “Formulari sipas Aneks 1”  i cili gjendet si pjesë e Rregullores nr. 29, datë 29.05.2013 “Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet pajtimtarëve dhe sipërmarrësve të komunikimeve elektronike” e cila mund të gjendet në këtë link:   https://akep.al/wp-content/uploads/images/stories/AKEP/rregullore/2013/Rregullore-ndermjet-pajtimtareve-sipermarresve-250613.pdf

Kërkesa dërgohet me postë ose dorazi në adresën:

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Rruga “Reshit Çollaku”

Tiranë, Shqipëri

 

Kërkesës duhet t’i bashkëlidhni:

  1. a) të dhënat që shërbejnë për identifikimin dhe adresën tuaj;
  2. b) të dhënat që shërbejnë për identifikimin e ofruesit të shërbimit;
  3. c) objektin e kërkesës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes;
  4. d) parashtrimin e pretendimeve dhe kundërshtimeve ndaj përgjigjes së ofruesit të shërbimeve lidhur me ankimin.

Në përfundim të procedurës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, AKEP del me një rekomandim me shkrim se si duhet të zgjidhet mosmarrëveshja.

Në rast se rekomandimi nuk pranohet, secila nga palët mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes në gjykatën kompetente.

___________________________________

 

Informacioni mbi kushtet e përgjithshme të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike është pjesë e Rregullores Nr. 31, datë 26.12.2013 “Për termat e përgjithshme të kontratës së pajtimit për lidhjen dhe aksesin në rrjetin publik të komunikimeve elektronike” e cila mund të gjendet në këtë link:

https://www.akep.al/wp-content/uploads/2020/09/RREGULLORE_MBI_TERMAT_E_PERGJITHSHME_TE_KONTRATES_SE_PAJTIMIT.pdf

 

 

 

 

Leave a reply