Categories
Njoftime

Nënshkruhet marrëveshja për reduktimin dhe heqjen e tarifave roaming midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

Tiranë, 8 Prill 2019.

Më datë 4 Prill 2019 në Beograd në kuadër të Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor 2019, u nënshkrua Marrëveshja mbi Reduktimin e Çmimeve të Shërbimeve Roaming në Rrjetet Publike të Komunikimit Celular në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja u nënshkrua nga ministritë përgjegjësë për komunikimet elektronike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia). Për Shqipërinë marrëveshja u nënshkrua nga Znj.Dorina Cinari, Zv.Ministre  e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Nënshkrimi i marrëvshjes u arrit pas një procesi bashkëpunimi dhe takimesh midis autoriteteve rregullatore dhe ministrive përgjegjëse për komunikimet elektronike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nën kujdesin e RCC (Regional Cooperation Council) dhe asistencën e ekspertëve të Komisionit Evropian. Arritja e marrëveshjes u përshëndet gjatë samitit edhe nga Znj.Mariya Gabriel, Komisionerja e Komisionit Evropian për Ekonominë dhe Shoqërinë Dixhitale dhe Znj.Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC.

Zbatimi i marrëveshjes do të kryhet nëpërmjet koordinimit të veprimeve të autoriteteve rregullatore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat nëpërmjet akteve të tyre do të përcaktojnë detyrimet për operatorët celularë të vendeve përkatëse për zbatimin e marrëveshjes, përfshirë rregulla për trasparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit, politikat e përdorimit të drejtë të shërbimeve roaming për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve nga operatorët celularë. Njerrja e këtyre akteve dhe koordinimi i tyre ishte pjesë e diskutimeve të takimit midis autoriteteve rregullatore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, RCC dhe përfaqsuesve të KE, të zhvilluar një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes. Në këtë takim AKEP u përfaqsua nga Z.Altin Rrapaj, Drejtori i të Drejtave të Përdoruesve.

Marrëveshja parashikon reduktimin e tarifave me pakicë të roamingut të aplikuara për qytetarët e rajonit duke filluar nga data 1 Korrik 2019, dhe heqjen e tyre duke filluar nga data 1 Korrik 2021, sipas modelit Roam Like At Home – RLAH (Komuniko si Brenda Vendit), që për qytetarët do të  thotë përdorim të shërbimeve celulare me tarifa sikurse brenda vendit, pra pa tarifa shtesë, kur ata lëvizin midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Zbatimi i marrëveshjes do të sjellë rritje të mëtejshme të përfitimeve të qytetarëve të Shqipërisë, të cilët krahas reduktimit dhe heqjes së tarifave roaming me Kosovën (kliko këtu), do të kenë mundësi të përfitojnë tarifa të reduktuara deri në heqjen e tyre gjatë roamingut edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duke filluar nga data 1 Korrik 2019.