Akep

Slide show

Historik mbi zhvillimin e Post-Telekomunikacioneve

E-mail Print PDF

Zhvillimet e shërbimeve të Post-Telekomunikacioneve janë diktuar nga nevoja për komunikim në distancë si rrjedhoje e zhvillimit ekonomik, kulturor, shoqeror e shpirtëror  të vendeve. Gjurmimet e bëra dhe thëniet e veteranëve të PTT-së tregojnë se disa zyra postare të administratës osmane kanë ekzistuar që në vitin 1878. Në fund të shekullit të XIX dhe në fillim të shekullit XX në Shqiperi funksiononin dhe zyrat e dy shoqërive të lundrimit, ajo austriake e Llojdit dhe ajo italiane e Pulias të cilat kryenin detyra të shërbimit postar. Por vetëm pas shpalljes së pavarësisë me 28 Nentor 1912, shërbimi i Post-Telekomunikacionit në Shqipëri shënon fillesat e tij. Më poshtë renditen ngjarjet me të rëndësishme historike që lidhen me ecurinë e zhvllimit të këtij sektori të rëndësishëm.

5 dhjetor 1912  - Qeveria e Përkohëshme e Ismail Qemalit krijon Ministrinë e Postë Telegraf Telefonave – Ministër Z. Lef Nosi

5 maj 1913 – Emetohet pulla e parë Postare Shqiptare.

7 korrik 1913 – Qeveria Provizore e Ismail Qemalit paraqet kërkesën për anëtarësim në UPU dhe ITU - realizimi zgjat 8 vjet.

Viti 1921 – Instalohet në Tiranë i pari central telefonik manual me 200 numra.

Viti 1922 – Pranë Ministrisë së Punëve Botorë krijohet administrata e shtetit Shqiptar për PTT. Në po të njëjtin vit aderon si anetare e UPU dhe ITU.

Viti 1924 - Instalohet Radio Stacioni i markës Marconi me fuqi 3 kW i cili siguronte lidhje telegrafike të Tiranës me Beogradin, Zagrebin dhe Vienën.

22 korrik 1924 - Krijohet shoqëria “Lidhja e Post-Telegrafistëve të Shqiperise” e cila në kongresin saj të jashtëzakonshem më 27 korrik - 4 gusht 1924 aprovoi statutin dhe rregulloret përkatëse që synonin sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të PTT-së.

Viti 1930 – Tiranës i shtohet një central telefonik automatik dikasterial me 150 numra e me rrjet kabllor të kufizuar vetëm për lidhjet e ministrive dhe institucioneve të tjera qëndrore.

Në këto vite – Struktura e shërbimeve ishte 94.5% postare, ku kryesisht dominonte korrespondenca postare me jashtë shtetit, 4.5% telegrafike dhe vetem 1% shërbim telefonik brënda vendit. Në PTT e qyteteve Prefektura kishte nga një central telefonik manual me 20-50 numra, ndërsa në disa qytete të tjera vetëm nga një numerator prej 10 numrash që lidhnin autoritetet lokale, si dhe nga një aparat telegrafik Mors.

Viti 1938 – Gjithsej 68 zyra & agjenci postare. Periudhë gjatë së cilës kapitali Italian në vëndin tonë shtohet, dhe nevoja për biseda telefonike sidomos me Italinë bëhet e domosdoshme. Instalohet në Tiranë nje radiostacion me valë të shkurtra që siguron lidhjet Tiranë-Romë me telefoni & telegrafi.

Viti 1942 – Këto lidhje ndërpriten si pasojë e bombardimeve që shkatërrojnë plotësisht përsëritësin në Kaltanje të Italisë.

Periudha e pushtimit nga Italia – Nisin të ndërtohen e instalohen disa linja, pak centrale e pajisje të tjera ndërlidhje që i nevojiteshin makinës ushtarake. Kështu, shtrihen kabllot detare Durrës-Brindizi dhe Vlorë-Bari në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër e Vlorë vendosen aparate telegrafike të markës Hughes, të cilat më vonë zëvendësohen me teleshkrues, shtrihen linja të tjera telefonike midis prefekturave, etj.

Viti 1946 – Përfundon ndertimi i linjës telefonike Tiranë-Peshkopi ku u mbeshtet një 3 kanalsh telefonik për komunkimet me shtetet e tjera nëpërmjet Beogradit dhe Shkupit, ndërsa dërgesat postare me jashtë filluan të përcillen nëpërmjet Strugës dhe Podgoricës.

Viti 1947 – Montohet në Tiranë centrali i parë telefonik automatik publik prej 800 numrash, montohen aparate teleshkrues me disa rrethe të vendit dhe hapet kursi i parë me teknikët më të mirë të asaj kohe.

Gusht 1947 – Krijohet Drejtoria e Përgjithshme e PTT-së në vartësi të Ministrisë së Punëve Botore dhe më vonë në vartësi të Ministrisë së Komunikacioneve.

Vitet 1949-1950 -  Vazhdojnë ndërtimet e linjave me rrethet, zëvendësohen fillat “tek” me kopje duke përmirësuar ndjeshëm shërbimet telefonike dhe telegrafike. Vendoset radionderlidhja me Sofjen, nëpërmjet Radiodhënësit 3 kË të Laprakës dhe radiomarrësave të disponueshem të markës IMCA.

Viti 1953 – Instalohen në Durrës dhe Elbasan centrale telefonike dekadike automatike respektivisht më 150 dhe 100 numra.

Viti 1954 – PTT i shtohet një shërbim i ri, ai i pajtimit dhe shpërndarjes së shtypit në të gjithë vendin me mesatarisht 150 mijë copë në dite. Në po këtë vit ngrihet një repart i vogël për riparimin e aparateve dhe centraleve telefonike.

Krijohet Uzina e PTT e cila bëhet mbështetje për atë zhvillim që pati PTT e atyre viteve deri në vitin 1994 vit në të cilin ambjentet e saj i kalojnë AMC.

Viti 1955 – Kapaciteti i rrjeteve telefonike rritet 2.8 herë kundrejt vitit 1950, dhe në vitin 1960 rreth 4 herë.

Vitet 1955-1960 – Centrali i Tiranës shtohet me 4000 numra dhe montohen centrale të rinj automatikë në qytetet e tjera kryesore të vendit si Shkodër, Gjirokastër, Korçë, etj. proces i cili përfundon në të gjithë qytetet dhe rrethet e vendit në vitin 1983. Të gjithë këto centrale ishin të sistemit dekadik, teknologji elektromekanike.

Viti 1964 – Vihet në shfrytëzim e para ndërlidhje kablore ndërurbane Tiranë-Durrës që u pasua me lidhjet e tjera kabllore në vitet 1970-1972 me qytetet Vlorë, Lushnje, Fier, Berat, Elbasan dhe qëndrat e banuara ndërmjet tyre.

Viti 1965 – Numri i zyrave të PTT arriti në 220 nga 68 që ishin para çlirimit.

Vitet 1965-1966 – Ndërlidhjes ndërkombëtare i vihen në dispozicion qëndra radiomarrëse në Kamëz dhe ajo radiodhënëse në Cerrik, të cilat siguronin ndërlidhje telefonike e telegrafike me të gjithë vendet e botës.

Viti 1970 – Realizohet lidhja e drejtpërdrejtë e Tiranës me të gjithë qëndrat e rretheve, me kalimin në sistemet me 12 kanale telefonike Z12, aparatura të prodhimit RFT nga ish Gjermania Lindore, në drejtimet Tiranë-Shkodër e Tiranë-Korçë.

Viti 1973 – Përmirësohen lidhjet e drejtpërdrejta telefonike të Tiranës me rrethet nëpërmjet sistemit kabllor të ndërlidhjes (aparaturat telefonike 12-kanaleshe dhe aparaturat telegrafike 16 dhe 18-kanaleshe të këtij sistemi ishin të prodhimit kinez, ndërsa kablli ndërurban ishte simetrik).

Viti 1973 – Fillon botimi i Buletinit 3-mujor të PTT-së, i cili pasqyron mjaft mirë arritjet në përgatitjen dhe kualifikimin e punonjësve brënda e jashtë vendit, zhvillimet teknike e përmiresimet teknologjike, zgjerimi dhe shtimi i shërbimeve postare, telefonike e telegrafike.

Mars 1973 – Drejtoria e Përgjithshme e Postave dhe Telekomunikimeve kalon në vartësi të Këshillit të Ministrave, duke sjellë përmirësime strukturore në gjithë piramidën, zhvillim më të shpejtë teknik, teknologjik dhe ekonomik të sistemit sidomos përmirësim të dukshëm të shërbimeve postare e telegrafonike ndaj përdoruesve.

Korrik 1973 – Rivendoset ndërlidhja telefonike e telegrafike Tiranë-Romë nëpërmjet kabllit koaksial detar Durrës-Brindisi, tashmë të riparuar e zëvendësuar pjesërisht, si dhe vihet në funksion linja e re me Greqinë (Tiranë-Gjirokastër-Janinë) me 3 kanale telefonike. Radionderlidhja bregdetare i kalon Drejtorisë së Përgjithshme të PTT-së, e cila studion, projekton dhe ndërton në Durrës qëndra të fuqishme radiodhënëse e radiomarrëse, duke mbuluar kështu me telegrafi gjithë hapesirat ujore të botës dhe foni deri në Detin e Kuq dhe atë Balltik.

Shtator 1973 – Hapen kurset e para me shkëputje nga puna pranë shkollës së komunikacionit në Durrës.

Shtator 1975 – Hapet kursi qendror i PTT-së në Tiranë për të gjitha specialitetet e teknikës dhe shërbimeve.

3 dhjetor 1973 – Përfundon lidhja me telefon e gjithë fshatrave të vendit, sistem i cili bazohej kryesisht në linja ajrore dhe në disa zona në rrjet kabllor.

Viti 1978 – Vihet në shfrytëzim centrali i parë automatik telegrafik me 200 numra, i teknologjisë krosbar, prodhim Ericsson, i cili siguron futjen e zyrave telegrafike në transmetim  automatik Gentex, i cili përmirësohet më vonë me centralin elektronik teleks të prodhimit francez Sagem.  

Viti 1979 – Miratohet për herë të parë ligji për PTT.

Viti 1981 – Ngrihet Qëndra e Studimeve të PTT.

Viti 1983

  • Realizohet për herë të parë transmetimi dixhital në drejtimet kabllore Tiranë-Durrës e Tiranë-Elbasan (sisteme PCM kabllore 2x30 kanale telefoni +49 kanale telegrafi).
  • Realizohet ndërlidhja me radio dixhitale Rinas – Kukës – B.Curr dhe Pukë me Tiranën.

Viti 1985 – Ngrihet Qëndra Tranzite Kombëtare dhe Ndërkombëtare (DNT) e cila përmblidhte të gjitha sistemet e telekomunikacioneve për lidhje kombëtare dhe ndërkombëtare, duke bërë të mundur ndarjen për herë të parë të rrjetit kombetar e ndërkombetar nga ai i rajoneve dhe rrjeteve urbane dhe krijimi i rrjetit hierarkik.

Viti 1987

  • Fillon shërbimi ekspres postar EMS.
  • Realizohet lidhja drejt Italisë me radio Dajt-Koreliano, një distancë rreth 190 km pa asnje përsëritës në mes për shkak të detit, realizim ky i cili tejkalon limitet e përcaktuara nga literaturat e ndryshme për këto lloj lidhjesh mbi det.

10 prill 1989 – Realizohet e para lidhje telefonike automatike ndërurbane midis dy qyteteve Peshkopi e Bulqizë.

20 mars 1990 – Përurohet centrali i parë transit kombëtar e ndërkombetar me 2000 porta, i teknologjisë dixhitale, prodhim i firmës italiane “Italtel”, i cili lidhi në rrjet automatik qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan e Korçë si dhe nëpërmjet dy sistemeve radio me nga 120 kanale, njeri në drejtim të Greqisë dhe tjetri në drejtim të Italisë, me të gjithë vendet e botës.

Viti 1990 – Vihen në punë dy centralet e para lokale dixhitale në qytetin e Tiranës (3000 numra) dhe në qytetin e Durrësit (2000 numra) prodhime të firmës “Italtel”.

Viti 1990 – Kapaciteti i rrjetit të telekomunikacionit arrin në 37 mijë numra automatike dhe 12 mijë numra manuale. Mbizoterojnë lidhjet ajrore dhe kabllore me linja të sistemit simetrik dhe koaksial.

Viti 1992

  • Shërbimet e telekomunikacioneve ndahen nga ato postare në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare;
  • Krijohet “Telekomi Shqiptar” si ndërmarrje shtetërore që ofronte shërbimet e telekomunikacioneve në rrjetin fiks;
  • Krijohet “Posta Shqiptare” si ndërmarrje shtetërore që ofronte shërbimet postare në 522 zyra, dhe Drejtoria e Përgjithshme e Postë-telekomunikacioneve, e cila ushtronte funksionet e rregullimit të tregut të postave dhe telekomunikacioneve.
  • Krijohet dhe emërtohet fillimisht Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telegraf-Telefonave dhe me pas Drejtoria e Përgjithshme e Postë-Telekomunikacioneve, duke marrë në konsideratë prirjet teknologjike të shërbimit të telekomunikacioneve, që si rezultat i automatizimit kishte ulur ndjeshëm kërkesat për shërbim telegrafik.

Vjeshte 1992 – Qeveria Shqiptare miraton Master Planin për zhvillimin e telekomunikacioneve në Shqipëri, me financues Telekomi Shqiptar, Qeveria Shqiptare, Banka Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim (BERZH) dhe qeveria e Italisë, Zvicrës dhe Norvegjisë dhe me drejtim të firmës konsultuese finlandeze TELECON LTD, me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Postë Telekomunikacionit, Ministrisë së Transportit dhe Komunikacionit dhe Telekomit Shqiptar. Plani fokusohej në zhvillimin e një rrjeti hierarkik dixhital i cili do t’i shërbente qëndrave të populluara me të rëndësishme dhe zonave tregtare të Shqipërisë, dhe bazohej në përdorimin e centraleve dixhitale në zonat ku potenciali i kërkesave për shërbim kalonte numrin e 10 mijë abonentëve.

Viti 1994

  • Në kuadër të Master Planit instalohet në Tiranë centrali tranzit kombëtar e ndërkombëtar me 8000 porta, i teknologjisë dixhitale Siemens, Gand i Qeverisë Zvicerane.
  • Telekomi Shqiptar nënshkruan kontrata me firmën Alcatel për instalimin e 66 mijë numrave telefonike dhe me firmën Sirti për ndërtimin e rrjetit ndërurban të transmetimit, bazuar në teknologjinë SDH me fibra optike dhe radiorele.

Viti 1995 – Shënohen fillesat e Internetit në vendin tonë, zyra në Tiranë e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PNUD) nis projektin e Internetit (Internet pa pagesë ndaj universiteteve dhe institucioneve akademike).

Nentor 1995 – Kuvendi i Shqipërisë miraton ligjin “Për telekomunikacionet në Republiken e Shqipërisë”, me asistencë të programit PHARE. Krijohet Departamenti i Postë Telekomunikacioneve në vartësi të Këshillit të Ministrave.

Viti 1996 – Fillon për herë të parë në vendin tonë shërbimi celular bazuar në standardin GSM dhe ofruar nga AMC. Ky shërbim deri në vitin 1999 disponohej vetem në zonën Tiranë-Durrës, në Ultersirën Perëndimore dhe numëronte rreth 15 mijë përdorues.

Viti 1996 – Posta Shqiptare fillon të ofrojë për të parën herë shërbime financiare.

Viti 1996 e vazhdim – Fillojnë të vihen gradualisht në përdorim centralet lokale dixhitale dhe të hiqen nga përdorimi centralet e vjetëruara elektromekanike, dhe paralelisht me abonimet e reja fillon kalimi i abonentëve ekzistues në rrjetet e reja urbane. Këto procese shoqërohen me shtimin e numrit të qyteteve të lidhura në sistemin automatik. Gjithashtu, montohen sisteme radio 4-kanaleshe për përmiresimin e shërbimit telefonik dhe telegrafik në zonat rurale të vendit, ofruar nga zyrat postare në rreth 200 komuna.

Vitet 1996-1997 – Shënojnë progres të dukshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimit të telefonisë ndërkombëtare, ku përveç centralit tranzit të instaluar në vitin 1994, ndihmëse të dukshme dha shtimi i linjave nderkombetare, rezultat i angazhimit me dy projekte për implementimin e dy traseve ndërkombëtare të telekomunikacioneve, ADRIA 1, ADRIA 2 dhe TBL (Trans-Balkan-Line).

Viti 1996 – Përfundon dhe vihet në shfrytezim segmenti shqiptar, që konsiton në 520 km fiber optike detare i ADRIA 1 dhe ADRIA 2, një sistem transmetimi që lidh shtetet Gjermani-Austri-Kroaci-Shqiperi-Greqi.

Viti 1997 – Përfundon dhe vihet në shfytëzim segmenti shqiptar, një kombinim i fibrave optike me sisteme radio i TBL, një sistem transmetimi që lidh shtetet Itali-Shqipëri-Maqedoni-Bullgari-Turqi.

Viti 1997 – Nisma e ofrimit të Internetit përkrahet nga Fondacioni Soros, i cili ndërton rrjetin e tij të Internetit me synim sigurimin e këtij shërbimi pa pagesë për institucionet shtetërore dhe organizma joqeveritare. Për arsye të pengesave ligjore, shërbimi nuk ofrohet në baza komerciale deri në vitin 1998.

Viti 1998 – Amendohet ligji për telekomunikacionet, duke finalizuar kështu nevojën për zhvillimin e tregut dhe plotësimin e kërkesave për shërbime. Në këtë mënyrë, liberalizohen të gjitha shërbimet e telekomunikacioneve, me përjashtim të shërbimit telefonik (vetëm Telefonia në zonat rurale).

Viti 1998 – Nis funksionimi i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT) si autoritet rregullator i tregut të telekomunikacioneve, një organizëm shtetëror jobuxhetor.

Viti 1999

  • Miratohet me VKM nr. 288, datë 18.06.1999 Dokumenti i Politikave të Zhvillimit të Telekomunikacioneve.
  • Posta Shqiptare sh.a. dhe Albtelecom sh.a. shndërrohen në shoqëri aksionere.
  • Shtator  – Kuvendi i Shqipërisë miraton Ligjin nr. 8530, datë 23.09.1999 “Mbi shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë” i pari ligj që rregullon shërbimin postar.

Viti 2000

  • Dyfishohet kapaciteti i centralit tranzit kombëtar e ndërkombëtar.
  • Kontrata e nënshkruar me firmën gjermane Siemens mundëson instalimin e centraleve telefonike lokale dixhitale, në qytetet e tjera që nuk ishin pjesë e kontratës së lidhur në vitin 1994 me firmën Alcatel, dhe instalimin e një centrali të ri tranzit kombëtar e ndërkombëtar në qytetin e Durrësit.
  • Miratohet ligji nr. 8618, datë 14.06.2000 “Për telekomunikacionet në Republikën e     Shqipërisë”.

Viti 2001

  • Vihet në funksion lidhja Tiranë-Mide-Prishtinë nëpërmjet një sistemi radirekle 34 Mbit/s.
  • Të gjithë subjektet që kryejnë aktivitete postare pajisen me licencë apo leje profesionale, duke bërë të mundur në këtë mënyrë njohjen e tregut, rregullimin e tij si dhe premisat për zhvillim.
  • Prill-Maj
    - Hartohet nga ERT dhe implementohet Plani i ri i Numeracionit.
    - Miratohet me VKM no. 379, datë 31.05.2001 “Plani Kombëtar i     Radiofrekuencave”
  • Gusht - Licencohet operatori i dytë GSM Vodafone Albania.
  • Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet është 4 Mbit/s.

Viti 2002
Korrik – Operatori postar ACS Albania fillon operimin me një rrjet prej 12 zyrash postare të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, ndërsa operatorët e tjerë postare private ofrojnë shërbimet e tyre të shtrira vetëm në qytetet kryesore.

Shtator – Numri i përdoruesve celularë kap shifrën rreth 700,000 dhe zona e mbulimit me shërbim arrin në 63% të territorit të vendit dhe 85% të popullsisë.

Viti 2003

  • Janar - Liberalizohet telefonia fikse urbane dhe kombëtare dhe telefonia ndërkombëtare.
  • 25 Nentor – ERT-së i jepet Certifikata si Vëzhgues në Institutin e Standardeve Europiane të Telekomunikacioneve ETSI.

Viti 2004

  • Mars – Albtelecomit i jepet licenca për operatorin e tretë GSM: “Eagle Mobile”
  • Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet arrin në 12 Mbit/s.

Viti 2006

  • Miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave “Plani Kombëtar për Zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asoccimit”
  • Amendohet Ligji no. 8618, datë 14.6.2000 "Për Telekomunikacionet në Republikën e Shqipërisë"
  • Maj - Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet arrin në 68 Mbit/s.
  • Nentor - Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet arrin në 150 Mbit/s.

Viti 2007

  • Ratifikohet "Kontrata për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime "Albtelecom", duke kaluar kështu 76% të aksioneve të kompanisë Albtelecom në pronësi të CETEL Çalik Enerji Telekomünikasyon Hizmetleri A.S.
  • Subjektet e licensuar për ofrimin e shërbimit Internet janë gjithsej 32. Deri në fund të vitit 2007, licencohen 8 subjekte të rinj.
  • Koordinohet me administratat ndërkombetare procesit i caktimit të radiofrekuencave për të gjitha aplikimet, të tilla si:
    i.    Koordinimi ndërkombëtar, me administratën Maqedonase, të brezit të frekuencave (380-390) dhe (390-400) MHz për shërbimet e emergjencës;
    ii.    Koordinimi ndërkombëtar i radiofrekuencave të lidhjeve fikse radio rele, sipas kërkesës së operatorëve AMC sh.a ( 5 lidhje) dhe Vodafone Albania sh.a. ( 1 lidhje);
    iii.    Trajtimi i kërkesave për koordinimin e frekuencave të caktuara për lidhjet satelitore nga adminstratat Franceze dhe Italiane.
  • Kompletohet Qendra e Levizshme e Monitorimit për kryerjen e matjeve, përcaktimin e drejtimit dhe gjetjen e vendndodhjes së stacioneve transmetuese që operojnë në brezin 20 MHz-3000 MHz.
  • Tetor - Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet arrin në 300 Mbit/s.

Viti 2008

  • Mars – Operatori i tretë i telefonisë së lëvizshme Eagle Mobile fillon operimin.
  • Qershor - Hyn në fuqi Ligji nr. 9918, datë 19.05.2008 "Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i cili sjell në të njëjtën linjë Shqipërinë me praktikat e BE-së për rregullimin e sektorit të telekomunikacioneve.
  • Tetor - Realizohet transferimi i “main server” dhe funksionimi i domain-it (ccTLD.al) në Shqipëri, duke mundësuar liberalizimin e plotë të regjistrimit të domain nen “.al”
  • Dhjetor - Numri i përdoruesve celularë në fund të vitit 2008, vlerësohet të ketë arritur në afersisht 2.7 milion përdorues, që do të thotë 85 përdorues celularë për 100 banorë.
  • Qershor - Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet është 300 Mbit/s.

Viti 2009

  • 26 qershor – Mobile 4 AL merr autorizimin individual duke u bërë operatori i katërt i telefonisë së levizshme, sipas teknologjisë GSM.
  • Maj – Hartohet dhe miratohet me VKM no.479, datë 06.05.2009 Plani Kombëtar i Frekuencave, në të cilin merren në konsideratë interesat e zhvillimit pas vitit 2008, për vendet anëtare të CEPT, ku gjithashtu implementohen rekomandimet dhe vendimet më të fundit të ITU, ETSI dhe Konferencës Botërore të Radiokomunikacioneve.

Në fund të vitit 2009, kemi 129 telefona celularë për 100 banorë dhe rritje me 13% në linjat e telefonisë gjatë 12 muajve të fundit. Çmimet e komunikimeve nëpërmjet celularëve pësuan rënie të ndjeshme si pasojë e konkurencës më intensive dhe rregullimit të imponuar të cmimeve. Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet në Janar të këtij viti është 1200 Mbit/s dhe në Dhejtor arrin në 6 Gbit/s.

Viti 2010

  • Rregullorja për administrimin e emrave të domain-eve nen .AL pëson dy ndryshime thelbësore që konsistojnë në dhënien e të drejtës për regjistrim domain përvec personave publike dhe private, personave fizikë tregtar edhe personave natyrorë, si dhe reduktimin e tarifës në 2000 Lekë në dy vjet.
  • Miratohet me VKM, no.322, datë 5.5.2010 Dokumenti i Politikave për Komunikimet Elektronike në Republiken e Shqipërisë.
  • Prill - Miratohet rregullorja "Rregullore p?r portabilitetin e numrit"
  • Prill – Miratohet “Plani i P?rdorimit t? Radiofrekuncave”
  • Nentor – Operatori i katërt i telefonisë së lëvizshme “Plus Communications”, del komercialisht në treg, një premisë kjo për vendosjen e një konkurrence eficiente në treg.
  • Dhjetor – Vodafone Albania pajiset me autorizim individual për perdorimin e frekuencave për ofrimin për herë të parë të shërbimeve të standardit 3G, një nga objektivat më të rëndësishëm që AKEP kishte për vitin 2010, duke i hapur rrugën tregut të shërbimeve “wireless” me bandë të gjerë, në rrugën e përmbushjes së objektivave të Qeverisë për “Internet për të gjithë” dhe “Shqipëria në moshën e internetit”.
  • Dhjetor - Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet arrin në 14 Gbit/s.

Viti 2011

Vazhdon tendenca e rritjes së përdorimit mesatar të thirrjeve telefonike.

  • Janar – Vodafone Albania lancon për herë të parë shërbimet 3G në Shqipëri, dhe në fund të vitit 2011 numri i pajtimtarëve që përdorin shërbimet 3G është rreth 280 mijë.
  • Mars – Miratohet rregullorja “Për licencën e Përgjithshme për ofrimin e shërbimeve postare”, në bazë të së cilës është realizuar trajtimi i kërkesave të subjekteve për transpozim dhe pajisje me licence të përgjithshme për ofrimin e shërbimeve postare.
  • 2 Maj – Inagurohet Qëndra e Bazës së të Dhënave të Centralizuar për Portabilitetin e Numrit.
  • Maj – Bartet numri i parë nga një operator në tjetrin. Deri në fund të vitit 2011 barten 41000 numra.
  • Qershor – Miratohet Rregullorja dhe Udhëzimi për implementimin e Zgjedhjes dhe Parazgjedhjes së Bartsit, e cila i krijon mundësinë përdoruesve fundorë të një rrjeti të komunikimeve telefonike që duke përdorur linjen telefonike të operatorit me të cilin kanë një kontratë pajtimi, të zgjedhin vetë ofruesin e thirrjeve telefonike që i konsiderojnë më të mirat për nevojat e tyre, veçanërisht për sa i përket çmimit dhe cilësisë së thirrjeve telefonike.
  • Shtator – Lëshohet autorizimi individual për AMC për ofrimin e shërbimeve të standardit 3G.
  • AKEP mundëson:
    - sistemin e aplikimit on-linë për autorizim të përgjithshëm, bazuar në teknologjinë Web me një nivel të lartë sigurie të informacionit, dhe siguron rritjen e transparencës dhe zvogëlimin e kohës së përpunimit të aplikimeve
    - sistemin e ruajtes së të dhënave të operatorëve mbi infrastrukturën në formatin on-line WebGIS (ATLAS), i cili shërben për të patur të dhëna të sakta hartografike në format dixhital për: Rrjetin e Fibrave Optike të instaluar në të gjithë territorin e Shqipërisë; Rrjetin e Lidhjeve Radio; Rrjetin e sistemeve GSM/3G (vendodhjen e kullave dhe BTS-ve).
  • Dhjetor - Kapaciteti i aksesit ndërkombëtar në Internet arrin në 30 Gbit/s.

Viti 2012

  • 5 shtator - Realizohet bartja e parë e numrit në telefoninë fikse
  • 17 dhjetor – Lëshohet autorizimi individual i tretë për “Eagle Mobile” për ofrimin e shërbimeve të standardit 3G.
  • Dhjetor - Kapaciteti i aksesit ndërkombetar në Internet arrin në 34 Gbit/s.

Viti 2014

  • 1 janar – Hyn në fuqi derregullimi i tarifave me pakicë të telefonisë fikse të Albtelecom
  • 1 janar – Nis të aplikohet Plani Kombëtar i Numeracionit, i rishikuar.

Jeni të mirëpritur të ofroni kontributin tuaj për komente, sugjerime apo plotësime, duke na shkruar ne adresën: This e-mail address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it .

 

Aktualitet

AKEP FILLON PROCEDUREN PER LANCIMIN E SHERBIMEVE LTE-4G

AKEP me ane te Vendimit te Keshillit Drejtues 2495 ka miratuar perfundimin e keshillimit publik mbi përdorimin e brezave të frekuencave GSM 900/1800 për dhënien në përdorim të frekuencave nga brezi ...

[...me teper]

broadband09

BROADBAND

statistika

STATISTIKA

Slideshow Image 1
Slideshow Image 2
Slideshow Image 3
Slideshow Image 4
Slideshow Image 5
Slideshow Image 6
Slideshow Image 7

Arkiva

Prev Next